← Shfleto

Hashim Këpuska

Doktor i shkencave teknike – gjeologjisë

Lindi në gusht të vitit 1939 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në vendlindje. Fakultetin e Xehetarisë-Gjeologjisë e kreu në Zagreb më 1965. Studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin fakultet, Dega e Metodat hulumtimeve të vendeve minerale në Zagreb, ku edhe magjistroi në mars të vitit 1973 me temën: ”PARAGJENEZA STRUKTURALE DHE TEKSTUALE E XEHEVE TË PLUMBIT DHE ZINGKUT NË MINJERËN E STANTRGUT”(kr). Mr. Hashim Këpuska doktoroi në Fakultetin e Xehetarisë-Metalurgjisë në Mitrovicë në dhjetor të vitit 1998 me temën: ”DISTRIBUIMI I ELEMENTEVE SHPËRNDARËSE DHE MIKROELEMENTEVE PËRCIELLËSE NË MINERALËT KRYESORE XEHEFORMUESE NË VENDBANIMIN E PLUMBIT-ZINKUT TREPÇA”. Dr. Hashim Këpuska punoi në Minierën e kromit “Deva” në Gjakovë dhe në atë të Stantrgut. Më 1971 zgjidhet asistent i lëndës Mineralogjia me petrografi në Fakultetin e Xehetarisë-Metalurgjisë në Mitrovicë, kurse tash është ligjërues i Bazave të kristalogjisë me mineralogji dhe Mineralogjia I dhe II në këtë fakultet. Ka të botuara 19 punime shkencore dhe një tekst universitar. Dr. Hashim Këpuska ka ligjëruar edhe në SHLT të Mitrovicës, në SHLP të Gjakovës dhe në FSHMN-Dega e Kimisë në Prishtinë.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.