← Shfleto

Hamdi Visoka

Doktor i shkencave të natyrës – kimisë

Lindi në prill të vitit 1944 në Balloc të Podujevës (Besianës). Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Podujevë, kurse të mesmen (Gjimnazin) e kreu në Prishtinë. Fakultetin Filozofik-Dega e Kimisë e kreu në Prishtinë më 1969. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Teknologjisë të Zagrebit, ku edhe magjistroi në prill të vitit 1981 me temën: ”PËRGATITJA E METODAVE POLAROGRAFIKE NË KONTROLLIMIN E MISIONIT DHE TË EMISIONIT NË METALURGJINË E PLUMBIT”(kr). Mr. Hamdi Visoka doktoroi në Fakultetin e Xehetarisë dhe të Metalurgjisë të Mitrovicës në prill të vitit 2002 me temën: ”ZHVILLIMI I METODAVE ELEKTROANALITIKE PËR PËRCAKTIMIN E PËRQENDRIMEVE TË ULËTA TË ELEMENTEVE TË RRALLA In, Ga, Ge, Se DHE Te”. Dr. Hamdi Visoka në fillim punoi në Institutin e Plumbit dhe Zinkut të Zveçanit, në fabrikën e ngjyrave “EXTRA” të Vushtrrisë, kurse më 1978 u zgjodh asistent për Kiminë analitike në Fakultetin e Xehetarisë dhe të Metalurgjisë të Mitrovicës e më vonë ligjërues i lëndës Metodat bashkëkohore të hulumtimit të xeheve në këtë fakultet. Dr. H.Visoka ka qenë bashkëpunëtor i 9 projekteve shkencore dhe anëtar i Komisionit për Standarde (JUS-it), dhe ka të botuara 20 punime shkencore.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.