Hajredin Hoxha
Doktor i shkencave të sociologjisë
Lindi më 1926 në Shtimje të Lipjanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Normalen) në Gjakovë. Fakultetin Filozofik-Dega Filozofi-Sociologji - e kreu në Beograd më 1958. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Shkencave Politike të Beogradit, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1965 me temën: ” POZITA E SHQIPTARËVE NË JUGOSLLAVINË BORGJEZE”(sr). Mr. Hajredin Hoxha doktoroi në Fakultetin Filozofik të Lubjanës në korrik të vitit 1973 me temën: ” AFIRMIMI NACIONAL I KOMBËSISË SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI”(sl). Dr. Hajredin Hoxha një kohë punoi si mësues dhe punëtor shoqëror-politik dhe më 1959 u zgjodh drejtor i SHL Administrative të Prishtinës dhe ligjërues i kësaj shkolle, mandej ligjërues i sociologjisë në Fakultetin Filozofik dhe në Fakultetin Juridik të Prishtinës ku arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në këtë fakultet. Dr. H. Hoxha është pjesëmarrës i LNÇ-s në Brigadë I dhe II të Kosovës. Ka pasur shumë funksione politiko-shoqërore krahinore e republikane. Ka qenë dekan i Fakultetit Juridik, rektor i Universitetit të Prishtinës dhe anëtar i rregullt i ASHA të Kosovës në Prishtinë. Ka të botuara 100 punime shkencore. Vdiq më 1987.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.