Gonxhe - Nëna Tereze Bojaxhiu
Doktor nderi në Universitetin e Washingtonit
Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nëna Tereze, ishte shqiptarja e parë e gjakut tonë që u shpall Doktor Nderi në një universitet amerikan dhe femra e parë shqiptare që mori Çmimin Nobel për Paqe. Familja e Gonxhes ishte nga Prizreni dhe, pas shpërnguljes, u vendos në Shkup si familje tregtare. Në familjen e Kolë dhe Drane Bojaxhiut, më 27 gusht 1910, lindi vajza e fundit, e cila u pagëzua me emrin Anjezë. Në familje e thërrisnin me emrin përkëdhelës Gonxhe, emër me të cilin është e shënuar edhe në literaturë. Katër klasat e shkollës fillore i kreu në gjuhën shqipe në lokalet afër kishës, me mësuesin e parë Engjëll Nocaj nga Shkodra. Gjimnazin e regjistroi në gjuhën serbe, sepse gjuha shqipe në atë kohë ishte e ndaluar. Në dhjetor të vitit 1928 u vendos që Gonxhja të shkonte në Indi për misione. U nis më 26 tetor 1928 për Zagreb. Më 6 janar 1929 arriti në Kalkutë, kurse më 15 janar 1929 në Darjeeling, ku filloi përgatitjet për noviciat. Gonxhja u quajt Terezja e Krishtit të Vogël, më vonë edhe Nëna Tereze. Më 16 gusht 1948, me dëshirën e saj dhe me miratimin e Vatikanit, la Bashkësinë e Motrave të Loretos për t’u shërbyer të varfërve. Hoqi veshjen e zezë dhe veshi rrobat karakteristike indiane, sarin e bardhë. Ajo vazhdoi punën me të sëmurët në rrugë, kasolla dhe vende të fshehura në lagjet e Kalkutës. Për punën e saj humanitare, Gonxhe Bojaxhiu, Nëna Tereze, u bë një nga figurat më të ndritura të kombit shqiptar dhe mori shumë mirënjohje e çmime ndërkombëtare për bamirësinë e saj. Më 29 tetor 1971, në Universitetin e Washingtonit, para 700 akademikëve, Nëna Tereze u shpall “Doktor nderi në Sociologji”. Më 17 dhjetor 1979, në Oslo, iu dha Çmimi Nobel për Paqe. Kjo ditë u vlerësua si ditë e madhe e paqes, sepse Nëna Tereze u shpall Nënë e Paqes. Për popullin shqiptar, Nëna Tereze la këtë porosi: “Ta duani njëri-tjetrin dhe të kthehen lutjet ndër shtëpitë tona, sepse nëse lutja është e pranishme, atëherë do të mund ta duan njëri-tjetrin dhe të jetohet në paqe dhe dashuri.” Nëna Tereze vdiq më 5 shtator 1997, larg vendlindjes, duke ndihmuar të varfrit dhe të sëmurët në Indinë e largët. Papa Gjon Pali II për të kishte thënë: “Ta nderojmë këtë grua, njërën nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë.” Më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë, Papa Gjon Pali II e shpalli Nënën Tereze të lumturuar. Sa dihet, ajo është femra e parë e gjakut shqiptar që është lumturuar. Nëna Tereze është në procedurë të shenjtërimit.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.