Gjin Gazulli
Doktor i dyfishtë, i artit dhe i astronomisë
Familja Gazulli, ose Gazullorët, është ndër më të vjetrat në Shqipërinë e Veriut. Ajo dokumentohet që nga viti 1301 dhe për shekuj bëri emër të madh në Shqipëri dhe jashtë saj, si në Raguzë, Itali, Hungari dhe vende të tjera. Në çdo rast që kishte nevojë atdheu, ata u vunë në shërbim të tij, sidomos të bijtë e Gjinit, Vëllezërit Gazulli, Gjoni, Pali dhe Andrea, të cilët e ndihmuan shumë Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Ndihma kryesore ishte në fushën diplomatike dhe me armë për ushtrinë e Skënderbeut. Gazullët, kudo që shkuan, bënë emër për mençuri, talent, kulturë, guxim, atdhedashuri dhe për virtytet e tyre humanitare e burrërore. Gjini lindi në Raguzë në vitin 1400, ku kreu mësimet fillestare dhe të mesme, ndërsa studimet i vazhdoi në Universitetin e Padovës në Itali, ku u diplomua dhe, po në atë universitet, u doktorua më 1430. Me studimet e rëndësishme arriti të marrë edhe titullin shkencor doktor-profesor dhe u shpall “më i shkëlqyeshmi astronom dhe matematikan i madh”. Gjini ishte doktor i astronomisë dhe i artit. Gjin Gazulli është doktori i parë i shkencës në radhët e shqiptarëve, si dhe doktor i dyfishtë. Ai është marrë me studime të matematikës, astronomisë dhe artit dhe njihet si shpikës i mjeteve të vrojtimit në astronomi. Dr. Gjin Gazulli ka qenë profesor në Universitetin e Padovës dhe themelues i bibliotekës private në Raguzë, Dubrovnik. Ai ka qenë edhe politikan, orator dhe diplomat i suksesshëm në Raguzë, Romë, Siçeli, Budapest e vende të tjera, në mbrojtje të interesave të Raguzës dhe të Shtetit të Arbërit, të udhëhequr nga Skënderbeu. Dr. Gjin Gazulli ndërroi jetë në Raguzë më 17 shkurt 1465. Për familjen Gazulli kanë shkruar disa autorë. Dr. M. Prenushi shkruan se “Familja, Vëllazëria Gazulli njihet ndër më të vjetrat në Shqipërinë Veriore”. M. Prençi shkruan se “Familja Gazulli në Mesjetë ishte nga familjet më të njohura fisnike shqiptare”. Historiani N. Dedaj shkruan se “Universi Gazullian është nga margaritarët më të çmuar të historisë dhe kulturës sonë kombëtare”.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.