Fetah Halili
Doktor i shkencave të natyrës – biologjisë
Lindi në nëntor të vitit 1949 në Gaçkë të Ferizajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Shkollën (Normalen) në Ferizaj. FSHMN-Dega e Biologjisë - e kreu në Prishtinë më 1974. Studimet pasuniversitare i bëri në FSHMN-Dega e Biologjisë në Zagreb, ku edhe magjistroi në dhjetor të vitit 1980 me temën: ”NDIKIMI I NDOTJES INDUSTRIALE TË REGJIONIT TË KOSOVËS NË PËRBËRJEN BIOKIMIKE TË KËRMILLIT TË VRESHTËS HELOX-POMATIA”(kr). Mr. Fetah Halili doktoroi në FSHMN të Prishtinës në qershor të vitit 1985 me temën: ”DISA NDËRRIME BIOKIMIKE DHE HISTOPATOLOGJIKE TË KËRMILLIT TË VRESHTËS (HELIX-PAMATIA L) NË KUSHTET E NDOTJES SË AMBIENTIT ME METALE TË RËNDA”(sr). Dr. Fetah Halili punoi si mësues e profesor i Biologjisë në Gjimnaz të Ferizajt, mandej u zgjodh asistent në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës dhe arriti deri te prof. ordinar i Fiziologjisë së Përgjithshme dhe Eksperimentale në FSHMN, mandej kaloi në Fakultetin e Mjekësisë si prof. i biologjisë me gjenetikë humane. Dr. F. Halili ka të botuara 16 punime shkencore si autor-koautor, 6 prej tyre janë të botuara jashtë vendit, 4 tekste për shkolla të mesme dhe 4 tekste universitare dhe dy tekste të përkthyera. Ka qenë shef Katedrës së biologjisë, prodekan i FSHMN të Prishtinës. Ka qenë në specializim në Beograd, Poloni dhe Gjermani. Ka marrë pjesë në simpoziume shkencore në Kosovë dhe jashtë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.