Feriz Krasniqi
Doktor i shkencave të natyrës – biologjisë
Lindi më 1931 në Tërpezë të Malishevës. Shkollën katërklasëshe e kreu në vendlindje, gjimnazin e ulët e kreu në Prishtinë, kurse të mesmen (Normalen) e kreu në Gjakovë. SHLP-Dega e Biologjisë e kreu në Nish, Shkallën e Dytë të FSHMN-Dega e Biologjisë e kreu në Shkup më 1961. Doktoroi në FSHMN-Dega e Biologjisë në Beograd në dhjetor të vitit 1968 me temën: ”VEGJETACIONI I PYJEVE TË REGJIONIT KODRINOR TË KOSOVËS”(sr). Dr. Feriz Krasniqi së pari punoi si arsimtar i biologjisë, mandej prof. i biologjisë në Normalen e Prizrenit e më 1961 zgjidhet asistent i lëndës Sistematike e bimëve të larta në Fakultetin Filozofik-Dega e Biologjisë në Prishtinë, ku arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në FSHMN të Prishtinës. Ka qenë prorektor e rektor i Universitetit të Prishtinës, deputet i Dhomës së Komunave të Kuvendit Federativ dhe anëtar i Kryesisë së Kosovës (para lufte). Ka qenë i shpërblyer me çmimin e Dhjetorit (1975). Më 1995 Senati i Universitetit të Prishtinës ia dha titullin e Nderit “Profesor Emeritus,” mandej anëtar korrespondent i ASHA të Kosovës dhe anëtar i rregullt i kësaj Akademie. Akademik Fariz Krasniqi ka të botuar tekste shkollore për të gjitha nivelet deri edhe tekste universitare. Ka të botuara 30 punime shkencore, disa përkthim tekstesh, ka udhëhequr shumë projekte shkencore hulumtuese të lëmit të biologjisë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.