Fehmi Krasniqi
Doktor i shkencave teknike – makinerisë
Lindi në gusht të vitit 1950 në Tugjec të Dardanës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Prishtinë, ku e kreu edhe shkollën e mesme. Fakultetin Teknik-Degën e Makinerisë e kreu në Prishtinë më 1974. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Makinerisë-Anijendërtimtarisë në Zagreb ku edhe magjistroi në nëntor të vitit 1982 me temën: ”STUDIMI I PËRMIRËSIMIT TË KARAKTERISTIKAVE KINETIKE TË MEKANIZMAT VIJËPËRKULUR ME INGRANANIM TË JASHTËM”(kr). Mr. Fehmi Krasniqi doktoroi në Fakultetin e Makinerisë të Prishtinës në nëntor të vitit 1998 me temën: ”KONTRIBUT PËRMIRËSIMIT TË KARAKTERISTIKAVE KRYESORE TË MEKANIZMAVE METALIKË PËR RRITJEN E PRODUKTIVITETIT DHE TË SIGURISË NË PUNË NEPËRMJET TË NDËRTIMIT TË KANALEVE TË LAKUARA”. Dr. Fahmi Krasniqi së pari punoi si mësimdhënës në Shkollën Teknike të Prishtinës dhe të Gjilanit, më 1975 u zgjodh asistent i Mekanikës në Fakultetin Teknik të Prishtinës, mandej edhe ligjërues i lartë për Makinat llogaritëse në këtë fakultet. Ka ligjëruar edhe në SHLT të Ferizajt dhe të Mitrovicës, specializoi në Rusi. Dr. F. Krasniqi ka qenë shef Katedre dhe prodekan i Fakultetit të Makinerisë të Prishtinës. Ka të botuara 7 punime shkencore dhe 3 punime profesionale, 7 tekste universitare, 3 tekste të përkthyera për shkolla të mesme nga serbishtja në shqipe.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.