← Shfleto

Eshref Pumo

Doktor i shkencave të gjeologjisë

Lindi më 1924 në Peçin, ku i mori mësimet e para dhe shkollën e mesme. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Krakovit (Poloni), ku diplomoi si gjeolog. Më 1962 doktoroi në Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave të Tiranës më temën: ” LIGJËSHMËRIA E PËRHAPJES SË VENDBURIMEVE TË HEKUR-NIKELIT NË PJESËN JUGLINDORE TË SHQIPËRISË”. Dr. Eshref Pumo mori pjesë në LNÇ në Shqipëri. Pas diplomimit punoi në Degën e Gjeologjisë të Ministrisë së Minierave, si kryegjeolog i Drejtorisë së Përgjithshme Gjeologjike të Tiranës, pedagog dhe kryetar i degës Gjeologjike në Institutin e Lartë Politeknik në Tiranë. Ka qenë kryetar i degës së Gjeologjisë në Komitetin Shtetëror të Gjeologjisë dhe drejtor i Përgjithshëm i I.S.P. Gjeologji – Miniera dhe dekan i Fakultetit të Gjeologjisë e të Minierave të Tiranës. Ishte anëtar i Komitetit Shtetëror të Rezervave të Mineraleve të dobishme. Dr. E. Pumo është një nga personalitetet e shquara të gjeologjisë shqiptare. Ka qenë bashkëpunëtor studimesh për harta Gjeologjike të Shqipërisë. Ka të botuar 21 artikull, ka marrë pjesë në konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare. Mban dekorata “Medalje e Kujtimit, të Trimërisë e të Çlirimit, “Urdhrin e Punës” kl. II. III dhe “Çmimin e Republikës” kl. I. Vdiq më 1991.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.