← Shfleto

Emin Kabashi

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi më 1949 në Çifllak të Rahovecit. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Ratkoc, të mesmen (Gjimnazin) e nisi në Prizren dhe e kreu në Rahovec. Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë më 1974. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në Prishtinë në prill të vitit 1979 me temën: ”POETIKA E LAZGUSH PORADECIT”. Mr. Emin Kabashi doktoroi në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë në mars të vitit 1989 me temën: ”POETIKA E JERONIM DE RADËS”. Dr. Emin Kabashi në fillim punoi si mësues, profesor në Gjimnaz të Rahovecit, Klinës dhe të Kijevës, përkthyes në kombinatin “Kosova” të Obiliqit dhe “Feronikel” të Gllogocit e prej aty kaloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si bashkëpunëtor i lartë shkencor. Njëkohësisht ligjëron edhe në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës. Dr. E. Kabashi merret edhe me krijimtari letrare. Ka të botuara 7 romane, 4 drama, 4 monografi, dhe shumë kritika letrare dhe artikuj shkencorë. Ka dy shpërblime nga “Rilindja” dhe ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore në vend dhe jashtë.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.