← Shfleto

Ekrem Murtezai

Doktor i shkencave të filozofisë

Lindi më 1931 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe medresenë i kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Normalen) e kreu në Pejë. Fakultetin filozofik Dega e Filozofisë e kreu në Beograd më 1958 (ka qenë ndër shqiptarët e parë që diplomoi në Filozofi në atë kohë). Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, ku edhe magjistroi në politikologji në korrik të vitit 1973 me temën: ”KUPTIMI I LENINIT MBI LOGJIKËN DIALEKTIKE”(sr). Mr. Ekrem Murtezai doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në qershor të vitit 1977 me temën: ”PIKËPAMJET E LENINIT MBI LOGJIKËN DIALEKTIKE”. Dr. Ekrem Murtezai së pari punoi si mësues e mandej si prof. i filozofisë dhe i gjuhës latine në Shkollën Normale e në Gjimnaz të Gjakovës. Ka qenë edhe drejtor. Punoi si këshilltar i pavarur i Byros Ekzekutive të KQ të LKJ në Beograd. Mandej u zgjodh ligjërues i filozofisë antike dhe mesjetare dhe i filozofisë marksiste në Fakultetin Filozofik të Prishtinës dhe arriti deri te prof. ordinar i këtyre lëndëve. Shef i Degës Sociologji-Filozofi, Drejtor i Qendrës Krahinore për Arsimimin Marksist të Prishtinës, është anëtar i rregullt i ASHA të Kosovës. Ka të botuara 12 tekste për të gjitha nivelet e shkollimit (të Mesme e Universitare). 15 artikuj të botuar dhe është laureat i shkencave shoqërore me shpërblim të Dhjetorit.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.