Edi Shukriu
Doktor e shkencave të historisë – arkeologjisë
Lindi më 1950 në Prizren. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në vendlindje. Fakulteti Filozofik – Dega e Arkeologjisë - e kreu në Beograd më 1972. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në Beograd në tetor të vitit 1979 me temën: ”DARDANËT NË KOSOVË NË NDRIÇIMIN E GJETJEVE ARKEOLOGJIKE – PERIUDHË ROMAKE”(sr). Mr. Edi Shukriu doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në tetor të vitit 1990 me temën: ”QERAMIKA E HELENIZUAR E EPOKËS SË VJETËR TË HEKURIT NË KSA TË KOSOVËS”. Dr. Edi Shukriu së pari e filloi punën në Muzeun e Kosovës, kurse prej vitit 1979 punon në Fakultetin Filozofik të Prishtinës - së pari si asistente e arkeologjisë ku arriti deri te prof. inordinar e arkeologjisë dhe historisë së kohës së vjetër në këtë fakultet. Ka të botuara 40 punime shkencore dhe 2 tekste universitare. Dr. E.Shukriu merret edhe me shkrime letrare dhe ka disa botime me vjersha.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.