Drita Halimi-Statovci
Doktor e shkencave të natyrës – gjeografisë
Lindi në prill të vitit 1945 në Gjilan. Shkollën fillore e nisi në Beograd dhe e kreu në Prishtinë, ku e kreu edhe Gjimnazin dhe Fakultetin Filozofik-Dega e Gjeografisë më 1969. Studimet pasuniversitare i bëri në FSHMN në Grupin e Regjionalizimit të elementeve në Zagreb ku edhe magjistroi në tetor të vitit 1973 me temën: ”GJILAN-STRUKTURA DHE FUNKSIONIMI I QENDRËS REGJIONALE”(kr). Mr. Drita Halimi-Statovci doktoroi në të njëjtin fakultet në Zagreb në mars të vitit 1981 me temën: ”RËNDËSIA HISTORIKO-GJEOGRAFIKE DHE BASHKËKOHORE E ZEJTARISË NË STRUKTURËN EKONOMIKO-GJEOGRAFIKE TË KSA TË KOSOVËS”(kr). Dr. Drita Halimi-Statovci së pari punoi në Odën Ekonomike të Krahinës, në Entin Krahinor për Planifikim hapsinor, në Institutin e Historisë dhe më pas në Institutin Albanologjik si bashkëpunëtore e lartë shkencore - Dega e Etnografisë në Prishtinë dhe në Fakultetin Filozofik në Departamentin e Etnografisë për lëndën Hyrje në Etnografi-etnologji kulturore dhe Etnologji dhe arriti deri te prof. ordinar i këtyre lëndëve. Dr. Drita Halimi-Statovci është autore e 100 artikujve të botuar shkencor, ka qenë në specializim në Angli dhe në SHBA. Ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e lira që u mbajtën në Kosovë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.