← Shfleto

Dervish Kamberi

Doktor i shkencave të natyrës – matematikës

Lindi më 1943 në Nakolec të Prespës. Shkollën fillore e nisi në Krajne dhe e kreu në Tetovë, Gjimnazin e kreu në Prishtinë, ku e kreu edhe Fakultetin Filozofik-Dega e Matematikës në Prishtinë më 1968. Studimet pasuniversitare i bëri në FSHMN në Zagreb ku edhe magjistroi në dhjetor të vitit 1981 me temën: ”METODAT ANALITIKE DHE KOHOMOLOGJIKE NË TEORINË E NUMRAVE ALGJEBRIK”(kr). Mr. Dervish Kamberi doktoroi në FSHMN në Prishtinë në mars të vitit 1992 me temën: ”DIZAJNET SIMETRIKE NDËRMJET RRAFSHËVE PROJEKTIVE DHE ATYRE TË HADAMARDIT”. Dr. Dervish Kamberi së pari punoi si mësimdhënës në rrethin e Gostivarit. Më 1969 u zgjodh asistent i Gjeometrisë së Euklidit në Katedrën e Matematikës në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, më vonë arriti deri te prof. ordinar i gjeometrisë në FSHMN të Prishtinës, ku edhe punon. Ka të botuara 7 punime shkencore dhe tekste për shkolla fillore dhe të mesme nga matematika si autor-koautor.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.