Daniel Rodiqi
Doktor për tregti ndërkombëtare
Lindi në janar të vitit 1901 në Janjevë (Kosovë). Shkollën fillore e ndoqi në Kolegjin Severian të Shkodrës, e vazhdoi filloren dhe shkollën e mesme e kreu në Grac dhe në Linz të Austrisë. Studimet e Larta i ndoqi dhe i përfundoi më 1925 në Fakultetin e Ekonomisë Tregtare të Universitetit të Vjenës. Po në këtë universitet edhe doktoroi për tregti ndërkombëtare në vitin 1930. Dr. Daniel Rodiqi kishte përvojë të gjatë qëndrimi në Austri. Nuk kishte vështirësi të integrohej në strukturat e shtetit të ri shqiptar. Me kthimin në atdhe u emërua administrator financash në Ushtrinë Shqiptare në Komandën e Përgjithshme. Më 21.10.1935 krijohet qeveria e re me kryeministër Mehdi Frashërin. Në këtë periudhë Dr. Daniel Rodiqi u tërhoq në Ministrinë e Financave me disa shokë në të ashtuquajturin “Kabineti i të Rinjve”. Me rënien e Kabinetit të Mehdi Frashërit më 1936 Dr. D. Rodiqi kthehet rishtazi në Komandën e Përgjithshme në detyrën e drejtorit të nozullimeve të ushtrisë Shqiptare. Punoi nëpunës në tregtinë e jashtme. Ka punuar edhe si përkthyes nga gjuha gjermane dhe anasjelltas në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Vdiq në Tiranë në dhjetor të vitit 1985.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.