← Shfleto

Bujar Bukoshi

Doktor i shkencave të mjekësisë

Lindi më 1947 në Therandë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Prizren. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Beograd më 1971. Pas një përvoje të gjatë mjekësore doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë të Berlinit në dhjetor të vitit 1985 me temën: ”CISTEKTONIA RADIKALE DHE DERIVACIONET E URINËS”“(gj). Dr. Bujar Bukoshi në fillim punoi si mjek në Drenas e Therandë. Specializoi për urologji në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd si dhe në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës e bëri specializim edhe në Gjermani. Më 1979 zgjidhet asistent në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë ku arriti deri te docenti. Ka një numër të punimeve shkencore të botuara nga lëmi i mjekësisë. Dr. Bujar Bukoshi filloi të merrej me politikë dhe u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në mërgim, ku punoi dhe veproi në diasporë deri më 1998. Ka qenë edhe kryetar i Fondit 3 % të të ardhurave që kanë dhënë punëtorët e punësuar jashtë vendit (Evropë e gjetiu). Pas zgjedhjeve të lira Dr. Bujar Bukoshi u largua nga posti i kryeministrit që kishte në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, dhe formoi Partinë e Re të Kosovës dhe u zgjodh kryetar i saj.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.