Besim Domi
Doktor i shkencave farmaceutike
Lindi në janar të vitit 1948 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe të mesmen (gjimnazin) i kreu në vendlindje. Fakultetin e Farmacisë-Biokimisë e kreu në Zagreb më 1971. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb ku edhe magjistroi në prill të vitit 1974 me temën: ”BARASPESHA E ACIDEVE, SHTYPJA PARCIALE E OKSIGJENIT DHE NDËRRIMET E BARASPESHËS NË GJAKUN KAPILAR”(kr). Mr. Besim Domi doktoroi në Fakultetin e Farmacisë në Beograd në mars të vitit 1979 me temën: ”VLERAT E PËRCAKTIMIT TË METHEMOGLOBINES SI TEST TË EKSPOZIMIT ME GAZNAT NITROZE”(sr). Dr. Besim Domi e kreu specializimin për biokimi medecinale në Lubjanë, mandej u zgjodh asistent i Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës, ku arriti deri te prof.ordinar i farmacisë-farmakologjisë në këtë fakultet. Ka të botuara disa punime shkencore dhe aktualisht është shef i Katedrës të Fakultetin e Farmacisë të Prishtinës. Është ndër doktorët e parë të shkencave Farmaceutike ndër shqiptaret e Kosovës.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.