Bekim Bejta
Doktor i shkencave të filologjisë
U lind më 11 qershor 1970 në Mitrovicë. Shkollimin fillor e nisi në Mitrovicë dhe e kreu në Prishtinë. Fakultetin e Filologjisë e kreu në Universitetin Poitiers në Francë më 1994. Studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin universitet, ku edhe u magjistrua në shtator të vitit 1996 me temën “Galicizmat në anglishten bashkëkohore dhe trajtimi i tyre leksikografik”. Mr. Bekim Bejta i bëri edhe studimet e thelluara në Universitetin Poitiers në vitin 1998 me temën “Humanizimi gjuhësor dhe motivimi morfo-semantik: huazimet e paasimiluara në gjuhën angleze”. Mr. Bekim Bejta doktoroi në Universitetin Poitiers në dhjetor të vitit 2002 me temën “Adaptimi morfo-fonologjik i huazimeve frënge në anglishte dhe analiza e tyre nga këndvështrimi leksikografik”. Dr. Bekim Bejta është marrë me sporte luftarake, karate dhe kikboks, ku arriti kulminacionin e perfeksionimit të tyre dhe mori disa medalje në këtë lëmi të sportit. Më 1 nëntor 2009 arriti sukses në karate, ku posedon medalje nga WKA, World Karate and Kickboxing, si dhe World Championships 2009 Gold Kate Komite, 75 kg. Ka numër identifikues brenda Federatës nr. 51596 në Huelva, Spanjë. Ndërkohë, Bekim Bejta i vazhdoi sukseset në sporte të tjera si rekordmen botëror i pompave gjimnastikore, ku arriti ndër rekordet kulminante me dy duar, duke bërë 5.471 pompime për një orë më 24 shtator 1999 në Poitiers të Francës. Për rekordin e arritur shkroi edhe gazeta “Centre Presse, Le Quotidien de la Vienne”, më 24 shtator 1999, faqe 5. Bekim Bejta këtë shkathtësi e demonstroi edhe me pompime me një dorë, ku arriti rezultatin kulmor botëror me 3.086 pompime brenda një ore më 3 maj 2000 në Poitiers të Francës. Për këtë sukses shkroi gazeta “Centre Presse, Le Quotidien de la Vienne”, më 3 maj 2000, faqe 4. Për këto rekorde botërore të pompimit gjimnastikor, Bekim Bejta u përfshi edhe në Librin e Ginisit, “Le Livre Guinness 1999 des Records”, faqe 58, ku shkruan: Bekim Bejta, rekordmen në pompim me dy duar, 5.471 pompime, dhe me një dorë, 3.086 pompime brenda një ore. Dr. Bekim Bejta së pari filloi punën si hulumtues shkencor në Laboratorin Farell, dega e Qendrës Kombëtare të Kërkimeve Shkencore në Francë, pastaj si profesor në Universitetin Angers në Francë. Prej aty kaloi si profesor në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, ku ligjëron lëndën Metodologjia e shkathtësive gjuhësore. Dr. B. Bejta ka të botuara disa punime shkencore jashtë Kosovës, ka disa përkthime linguistike dhe botime autoriale në gjuhët angleze, frënge, latine dhe shqipe. Në librin e Universitetit Poitiers të Francës, ku shkruhet për studentët e dalluar të këtij universiteti, ai përfshihet ndër 5 studentët më të dalluar, së bashku me Dekartin, Rable-n dhe dy të tjerë. Dr. Bekim Bejta, përveçse punëtor i dalluar shkencor, ka edhe disa rekorde botërore në sportet që ka ushtruar dhe është i evidentuar në Librin e Ginisit, rast i rrallë dhe unik i një doktori të shkencës. Tash jeton dhe punon në Universitetin e Prishtinës.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.