Behlul Brestovci
Doktor i shkencave të defektologjisë
Lindi më 1941 në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesmen (gjimnazin) i kreu në vendlindje. Shkollën e Lartë Speciale për Pedologji e kreu në Beograd, mandej e vazhdoi shkallën e dytë të Fakultetit të Defektologjisë në Zagreb ku diplomoi më 1968. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Kulturës Fizike të Zagrebit, ku edhe magjistroi në dhjetor të vitit 1975 me temën: ”ANALIZA DISKRIMINATIVE E DISA DIMENSIONEVE MOTORIKE-ANTROPOMETRIKE TE BELBËZUESËVE DHE JOBELBËZUESËVE”(kr). Mr. Behlul Brestovci doktoroi në Fakultetin e Defektologjisë të Zagrebit në maj të vitit 1979 me temën: ”DISA RELACIONE NË MES BELBËZIMIT, MOTORIKËS DHE ANKTHIT”(kr). Dr. Behlul Brestovci e filloi punën si mësues në Bresalc, mandej në Fakultetin e Defektologjisë të Zagrebit, tash është prof. ordinar i lëndës Hyrja në punën kërkimore me statistikë në Fakultetin e Kulturës Fizike të Prishtinës. Ka të botuara 73 punime shkencore të lëmit të Pedologjisë, si dhe disa punime të veçanta të botuara në gjuhë të huaja si, kroatisht, serbisht dhe gjermanisht.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.