← Shfleto

Bajrush Bytyçi

Doktor i shkencave teknike – saldimit

Lindi në maj të vitit 1946 në Sllovi të Lipjanit. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Gadime, të mesmen (tekniken) e kreu në Prishtinë. Fakultetin e Makinerisë e kreu në Rijekë (Kroaci) më 1971. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Makinerisë-Anijendërtimtarisë në Zagreb, ku edhe magjistroi në prill të vitit 1980 me temën:” HULUMTIMET E BARTSHMËRISË TË TEGELAVE TË NGARKUAR ME NGARKESA DINAMIKE TEK AMORTIZATORËT PËR AUTOMJETET E UDHËTARËV “(kr). Mr. Bajrush Bytyçi doktoroi në Fakultetin Teknik të Prishtinës në prill të vitit 1986 me temën:”SUBSTITUIMI I SALDIMIT ME HARK ELEKTRIK ME SALDIM ME ELEKTROREZISTENCË”(sr). Dr. Bajrush Bytyçi së pari punoi në “Famipa” të Prizrenit në Fabrikën e Amortizatorëve të Prishtinës, prej vitit 1980 punon në Fakultetin Teknik të Prishtinës ku arriti deri te prof. ordinar i Saldimit, ka qenë në specializim si në: ish Jugosllavi, Francë, Angli, Gjermani, Austri. Dr. B.Bytyçi kreu shumë funksione, ka qenë kryeinxhinier, drejtor i prodhimit të amortizatorëve specialë, drejtor i Sektorit për investime në Fabriken e Amotizatorëve, shef i Katedrës së Makinerisë në Fakultetin Teknik të Prishtinës, prodekan dhe dekan i këtij fakulteti si dhe ligjërues në SHLT dhe në Fakultetin e Xehetarisë-Metalurgjisë të Mitrovicës. Dr. B.Bytyçi ka të botuara 4 tekste universitare, 8 tekste të përkthyera nga serbishtja, 5 botime për shkolla të mesme, 51 punim shkencor si autor i parë, 8 punime si bashkoautor dhe 20 punime profesionale.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.