Bajram Berisha
Doktor i shkencave të bujqësisë
Lindi në maj të vitit 1962 në Therandë. Shkollën fillore dhe të mesmen, i kreu në vendlindje. Fakultetin e Bujqësisë e kreu në Prishtinë më 1986. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Bioteknikës të Lubjanës, ku edhe magjistroi në dhjetor të vitit 1992 me temën: ”NDIKIM I PLUMBIT NË DISA PARAMETRA FIZIOLOGJIKË DHE PRODHUES TE PULAT”(sl). Mr. Bajram Berisha doktoroi në Universitetin e Mynihut (Gjermani), në shkencat agrare në lëmin e fiziologjisë së riproduksionit dhe i Biologjisë Molekulare në dhjetor të vitit 2001 me temën: ”FAKTORI ANGJIOGJENETIK NË VEZOREN E GJEDHIT”(Gj). Dr. Bajram Berisha së pari punoi si arsimtar në Shkollën e Mesme të Suharekës, mandej si asistent në Institutin për Blergtori dhe Veterinari në Prishtinë, mandej asistent i lëndës së gjenetikes në Fakultetin e Bujqësisë. Prej vitit 1997 si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Fiziologjisë në Universitetin e Mynihut, ku punon si ligjërues në Katedrën e Fiziologjisë të TUM. Dr. B. Berisha është autor i 10 sekuencave të reja të gjeneve dhe më tepër se 100 punimeve shkencore të lëmit të Riproduksionit dhe të biologjisë molekulare, ka marrë pjesë në 40 kongrese ndërkombëtare me kumtesa. Jeton dhe punon në Gjermani.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.