Avni Terziqi
Doktor i shkencave teknike – makinerisë
Lindi në tetor të vitit 1950 në Mitrovicë. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në vendlindje. Fakultetin Teknik-Dega e Makinerisë e kreu në Prishtinë më 1975. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Makinerisë në Shkup, ku edhe magjistroi në korrik të vitit 1995 me temën: ”OPTIMIZIMI I SISTEMEVE ENERGJETIKE PËR KURSIMIN E ENERGJISË”(ma). Mr. Avni Terziqi doktoroi në Fakultetin e Makinerisë në Prishtinë në qershor të vitit 2001 me temën: ”KONTRIBUT ANALIZËS SË TRANSMETIMIT TË NXEHTËSISË NË FURRAT VATËRXHAKETË TË TREPÇËS”. Dr. Avni Terziqi së pari punoi si inxh. në Shkritoren e Plumbit të Kombinatit “Trepça” si udhëheqës teknik dhe drejtor i Shkritores së Plumbit, mandej mësimdhënës në Qendrën Teknike të Mitrovicës. Që nga viti 1979 punon si ligjërues në SHLT të Mitrovicës, ku ka qenë zëvendësdrejtor dhe drejtor i kësaj shkolle. Është edhe profesor i rregullt i kësaj shkolle. Në Fakultetin e Xehetarisë dhe të Metalurgjisë u zgjodh ligjërues. Ka qenë anëtar i Pleqësisë dhe i Senatit të Universitetit të Prishtinës. Ka të botuara 9 punime shkencore si autor-koautor dhe 1 tekst universitar. Ka marrë pjesë në hartimin dhe në realizimin e disa projekteve shkencore.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.