Arsim Fehmiu
Magjistër i shkencave të mjekësisë
Lindi më 1932 në Sarajevë. Shkollën fillore e kreu në Prizren, kurse të mesmen (Normalen) në Gjakovë. Fakultetin e Kulturës Fizike e kreu në Beograd më 1963. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1977 me temën: ”MARRËDHËNIET (RAPORTET) E DISA DIMENSIONEVE ANTROPOMETRIKE DHE MOTORIKE TË SHPEJTËSISË SË FUTBOLLISTËVE TË LIGËS SË I DHE TË II TË KSA TË KOSOVËS”(ma). Mr. Arsim Fehmiu së pari punoi si mësues, arsimtar i fiskulturës në Shkollën Normale të Prishtinës dhe në SHLP si dhe ligjërues e prof. ordinar në Fakultetin e Kulturës Fizike të Prishtinës, ku ka qenë edhe dekan i këtij fakulteti. Mr. A. Fehmiu ka qenë trajner i disa ekipeve të ligës së dytë dhe të parë të futbollit në ish Jugosllavi. Gjithë kohën është marrë me arsimin e të rinjve në kulturën fizike. Mr. Arsim Fehmiu ka paraqitur tezën e disertacionit në Beograd ku edhe i është pranuar, por për shkaqe sigurie nuk ka shkuar ta mbron (1992). Jeton në Prishtinë si pensionist.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.