← Shfleto

Arsim Bajrami

Doktor i shkencave juridike

Lindi në mars të vitit 1960 në Medvec të Lipjanit. Shkollën fillore e kreu në Magure, kurse të mesmen (gjimnazin) në Lipjan. Fakultetin Juridik e kreu në Prishtinë më 1982 ku i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në Prishtinë në janar të vitit 1985 me temën: “GJYQËSIA KUSHTETUESE NË KOSOVË“. Mr. Arsim Bajrami doktoroi në Fakultetin Juridik të Prishtinës në janar të vitit 1996 me temën: “ASPEKTI NORMATIV I MËVEHTËSISË SË KOSOVES GJAT PERIUDHËS 1943-1994“. Dr. Arsim Bajrami së pari punoi si jurist në gjyqin komunal të Lipjanit, më 1983 u zgjodh asistent i lëndëve: E drejta kushtetuese dhe sistemi politik në Fakultetin Juridik të Prishtinës ku arriti deri te prof. ordinar i këtyre lëndëve në këtë fakultet. Ka qenë prodekan dhe dekan i Fakultetit Juridik të Prishtinës, ka ligjëruar në disa qendra të Evropës si në: Budapest, Kozencë, Tiranë, Arizonë, Holandë dhe ligjëron në të dy universitetet e Tetovës. Ka të botuara 30 punime shkencore dhe dy tekste universitare.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.