Anton Berisha
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi më 1946 në Dobërdol të Klinës. Shkollën fillore e kreu në Ujmir, kurse normalen në Prishtinë. Fakultetin Filozofik-Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e kreu në Prishtinë më 1970. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1977 me temën:”TAKIMET DHE PËRKIMET E LETËRSISË GOJORE DHE TË SHKRUAR SHQIPE NË KOHËN E RILINDJES”(kr). Mr. Anton N. Berisha doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit në korrik të vitit 1981 me temën:”PËRKIMET POETIKE TË LETËRSISË GOJORE DHE TË SHKRUAR SHQIPE PREJ LIDHJES SË PRIZRENIT DERI NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE”(kr). Dr. Anton N. Berisha së pari punoi si mësues, pastaj gazetar i “Rilindjes”, kurse prej vitit 1973 punon në Institutin Albanologjik sektori i Folklorit në Prishtinë si bashkëpunëtor i lartë shkencor. I ka 20 botime të veçanta, 60 studime e artikuj të botuar, është koautor i 4 librave dhe prof. i rregullt në Universitetin e Arbëreshëve të Italisë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.