Aleksandër Xhuvani
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi më 1880 në Elbasan. Mësimet e para i kreu në vendlindje kurse të mesmet në Çotil (Maqedoni e Greqisë), Fakultetin Filozofik – Dega e Filozofisë e kreu në Athinë më 1906. Dr. Aleksandër Xhuvani është një ndër pionerët e arsimit në gjuhën shqipe. Punoi si mësues i gjuhës shqipe në Kolegjin Arbëresh të “Shen Dhimitër Koronës, pastaj profesor e drejtor i Normales së Elbasanit. Më 1910 shkoi në Kajro ku punoi si redaktor i një gazete, mandej shkoi në Aleksandri. Pas shpalljes së pavarsisë së Shqipërisë Aleksandri kthehet në atdhe dhe punoi në Shkollën Normale në Elbasan. Ka qenë anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës, Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, shef i Seksionit të Gjuhës dhe të Letërsisë pranë Institutit të Studimeve dhe anëtar i Redaksisë së Buletinit të Shkencave Shoqërore dhe më në fund nga Universiteti i Tiranës iu dha titulli Prof, Doktor “Honnoris Causa”. Që nga vitit 1905 filloi të botonte në revistën “Albania” të Faik Konices. Dr. A. Xhuvani zhvilloi aktivitet të dukshëm në fushën e publicistikës, të shkencës së gjuhësisë dhe të letërsisë. Ka botuar edhe shumë vepra pedagogjike dhe në gjuhësi dhe ka të botuara 8 vepra shkencore e letrare, ka qenë i dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”, “Urdhrin e Lirisë”. Vdiq në Tiranë më 1961.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.