Aleks Buda
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi në shtator të vitit 1910 në Elbasan. Shkollën fillore e nisi në Elbasan dhe e kreu në Leçe të Italisë, kurse të mesmen (Gjimnazin) në Salzburg të Austrisë. Studimet e larta i përfundoi më 1938 në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Vjenës, ku edhe doktoroi. Dr. Aleks Buda u kthye në atdhe dhe u emërua mësimdhënës në Liceun e Korçës, mandej në Gjimnaz të Tiranës, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe shef në Institutin e Shkencave. Ka qenë pedagog dhe shef Katedre në Institutin Pedagogjik, më 1957 u emërua profesor në Universitetin e Tiranës. Dr. A. Buda është ndër historianët më të shquar të vendit dhe ka kontribuar shumë në historiografinë e kombit. Ka të botuara disa vepra. Dr. A. Buda mori pjesë në shumë simpoziume e konferenca ballkanike e evropiane. U zgjodh nënkryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Studentëve të Evropës Juglindore, anëtar i Komitetit Drejtues të Shoqatës Botërore të Historianëve, anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë. Dr. A. Buda ishte nismëtar e themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë më 1972 dhe kryetar i parë i saj. Dr. Buda ishte ndër personalitetet më të shquara të shkencës shqiptare. Presidenca e Austrisë e ka dekoruar me “Dekoratën e Madhe të Artë”. Edhe shteti shqiptar e ka dekoruar dy herë me Çmimin e Republikës dhe pati titullin “Mësues i popullit” dhe “Profesor”. Vdiq në Tiranë më 1993.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.