Ahmet Shala
Doktor i shkencave të ekonomisë
Lindi në mars të vitit 1961 në Akrashticë të Vushtrrisë. Shkollën fillore e kreu në Pantinë, kurse të mesmen (Gjimnazin Matematikor) e kreu në Zveçan. Fakultetin Ekonomik e kreu në Prishtinë më 1985. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në Prishtinë në nëntor të vitit 1995 me temën: ”MARRJA E VENDIMEVE AFARISTE NË KUSHTET E PARAPARA” . Mr Ahmet Shala doktoroi me temën.”MODELET DHE METODAT MATEMATIKO STATISTIKORE NË ZGJEDHJEN E ALTERNATIVAVE TË ZHVILLIMIT EKONOMIKO-STRATEGJIK TË VISEVE SHQIPTARE”. Studimet e doktoratës i bëri në Universitetin e Barcelonës dhe në Vojxo të Suedisë. Dr. Ahmet Shala së pari punoi në Kombinatin “Trepça” të Mitrovicës, mandej asistent i statistikës në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës. Prej vitit 1995 ligjëron lëndën Metodat dhe modelet statistikore. Ka udhëhequr shumë biznese private dhe Shkollën e Gjuhëve të Huaja. Institutin për Studime të Avancuara, ka qenë drejtor i Drejtorisë për Marrëdhënje Ekonomike me Botën e Jashtme në Ministrinë e Ekonomisë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare, është bashkautor i një teksti universitar. Aktualisht punon në Departamentin e Tregtisë dhe të Industrisë ( EU/ UNMIK) zëvendës i bashkëkryesuesit.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.