Ahmet Gurakuqi
Doktor i shkencave të ekonomisë
Lindi në maj të vitit 1929 në Strelcë të Korçës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Gjirokastër, kurse Teknikumin Financiar e kreu në Tiranë. Në Institutin e Tregtisë së Jashtme të Moskës diplomoi si ekonomist i tregtisë së jashtme. Në qershor të vitit 1984 në Fakultetin Ekonomik të Tiranës e mbrojti doktoratën me temën: ”PROBLEME TË KONJUKTURËS DHE ÇMIMEVE NË TREGJET BOTËRORE TË LËNDËVE ENERGJETIKE, QYMYR, NAFTË, GAZ, ENERGJI ELEKTRIKE” dhe mori titullin “Doktor i Shkencave Ekonomike”. Dr. Ahmet Gurakuqi në fillim punoi në ndërmarrjen e Tregtisë së Jashtme “Albimport” si ekonomist për konjukturën e tregtisë së jashtme. Punoi në Kryeministri, kryetar i Degës për problemet e KNER-it, mandej ekonomist në ndërmarrjen e tregtisë së jashtme “Agroimport”. Dr. A. Gurakuqi më 1968 u transferua në Fakultetin Ekonomik në Katedrën e Tregtisë së Jashtme të Tiranës, ku ligjëroi disa lëndë në kurset pasuniversitare të tregtisë së jashtme. Ka ligjëruar dy lëndë: Konjukturat dhe çmimet në tregjet botërore dhe pagesat në tregtinë e jashtme. Është autor-bashkautor i disa teksteve mësimore për tregti të jashtme. Ka të botuara edhe disa punime shkencore.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.