Abdullah Zejnullahu
Doktor i shkencave të natyrës – matematikës
Lindi më 1957 në Ramjan të Vitisë. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Pozharan. Gjimnazin Matematikor e kreu në Prishtinë. FSHMN-Dega e Matematikës e kreu në Beograd më 1980. Studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin fakultet, ku edhe magjistroi në Beograd në qershor të vitit 1983 me temën: ”ZGJIDHSHMËRIA E DISA TEORIVE FORMALE TË RENDIT TË DYTË”(sr). Mr. Abdullah Zejnullahu doktoroi në FSHMN të Prishtinës në maj të vitit 1989 me temën: ”GJYSMËGRUPET MEDIALE DHE PËRGJITHËSIMI I TYRE”(sr). Dr. Abdullah Zejnullahu specializoi në Pragë (Çekis). Në fillim punoi si profesor i matematikës në shkolla të mesme mandej si asistent i Analizës I në FSHMN-Dega e Matematikës të Prishtinës. Më 1981 kaloi në Fakultetin Teknik-Dega e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës si ligjërues i matematikës III, ku arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në këtë fakultet. Ishte edhe dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës të Prishtinës. Ka të botuara 20 punime shkencore. Si dhe tekste të matematikës për të gjitha nivelet e shkollimit si autor dhe koautor si dhe 2 tekste universitare. Dr. A. Zejnullahu ligjëron edhe në Shkallën e Tretë të Studimeve pasuniversitare në Prishtinë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.