← Shfleto

Abdullah Gashi

Doktor i shkencave teknike – makinerisë

Lindi në maj të vitit 1953 në Koshtovë të Mitrovicës. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Mitrovicë, kurse Fakultetin Teknik-Dega e Makinerisë e kreu në Prishtinë më 1978. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Makinerisë - Dega e Makinerisë prodhuese në Prishtinë, ku edhe magjistroi në dhjetor të vitit 1996 me temën: ”PËRPARIMI DHE MODERNIZIMI I MIRËMBAJTJES NË PRODHIMTARINË E PLUMBIT NË “TREPÇA”. Mr. Abdullah Gashi doktoroi në Fakultetin e Xehetarisë-Metalurgjisë në Mitrovicë në maj të vitit 2004 me temën: ”OPTIMIZIMI I SISTEMIT TË MIRËMBAJTJES NË METALURGJINË E PLUMBIT “TREPÇA”. Dr. Abdullah Gashi prej vitit 1978 punoi në Metalurgjinë e Plumbit në Zveçan. Gjithë kohën ka qenë drejtues i Shërbimit në Metalurgjinë e Plumbit të Zveçanit, udhëheqës për inovacione në këtë metalurgji dhe pjesëmarrës në shumë projekte në metalurgji. Ka specializuar në Split, Sll. Brod, Tito Veles, në Bullgari, etj. Prej vitit 1993 punoi si mësimdhënës në SHLT në Mitrovicë si ligjërues i lëndës Mirëmbajtja e sistemeve teknike, shef i Degës së Makinerisë dhe zëvendësdrejtor në këtë shkollë. Ka të botuara 12 punime shkencore si autor-koautor.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.